1.
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir’ e një qëllim,
Të gjith’ atij duk’ ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
‖: Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor! :‖
2.
Në dorë armët do t’i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë në çdo kënd,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë;
Këtu armiqtë s’kanë vend.
‖: Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne! :‖
3.
O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.
‖: Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet’ ai do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor! :‖